Z. Nazmi Pllana është zgjedhur President i Federatës Mesdhetare të Kontabilistëve (FCM)
Shoqata e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Çertifikuar të Kosovës (ShKÇAK) njofton se anëtari i saj, z. Nazmi Pllana, është zgjedhur Kryetar i Federatës Mesdhetare të Kontabilistëve (FCM – Fédération des Experts Comptables Méditerranéens) për mandatin e ardhshëm 2026/2027. Ky është një sukses i rëndësishëm për ShKÇAK, profesionin e kontabilitetit në Kosovë dhe përfaqësimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
Federata Mesdhetare e Kontabilistëve (FCM) përfaqëson profesionin e kontabilitetit në zonën e Mesdheut. Anëtarësia e saj përbëhet nga 17 organizata profesionale të kontabilistëve dhe auditorëve nga 14 vende mesdhetare: Shqipëria, Bullgaria, Qiproja, Franca, Greqia, Kosova, Malta, Mali i Zi, Maroko, Portugalia, Spanja, Tunizia, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar. Nëpërmjet këtij rrjeti, FCM promovon shkëmbimin profesional, harmonizimin e standardeve dhe fuqizimin e rolit të profesionit të kontabilitetit në zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen e mirë.
Zgjedhja e z. Pllana në krye të FCM-së është një dëshmi e besimit dhe vlerësimit për angazhimin e tij profesional, kontributin shumëvjeçar në zhvillimin e profesionit dhe standardeve të raportimit financiar, si dhe për reputacionin që ShKÇAK dhe komuniteti i kontabilistëve në Kosovë kanë ndërtuar gjatë viteve. Kjo pozitë e re do të mundësojë një zë edhe më të fuqishëm të Kosovës në diskutimet rajonale dhe ndërkombëtare që lidhen me profesionin e kontabilitetit dhe auditimit.
ShKÇAK do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm z. Pllana në detyrën e tij të re, duke kontribuar në agjendën e përbashkët për rritjen e transparencës financiare, forcimin e profesionalizmit dhe promovimin e standardeve të larta etike në të gjitha vendet anëtare të FCM.
